Secondary Adv

Kadastra tërësisht digjitale në fund të 2026, shërbime të automatizuara dhe pagesa nga e-Albania

Agjencia Shtetërore e Kadastrës pritet që deri në fund të vitit 2026 të funksionojë si një institucion plotësisht digjital, duke automatizuar shërbimet dhe rritur sigurinë e informacionit kadastral për qytetarët.

Drejtoresha e përgjithshme e ASHK-së, Lorena Goxhobelli, deklaroi gjatë një tryeze partneriteti se procesi i digjitalizimit po ecën me ritme të mira dhe po sjell përfitime konkrete, si në lehtësimin e punës së administratës, ashtu edhe në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët.

 

Digjitalizimi i plotë i hartave kadastrale

Sipas Goxhobellit, një nga proceset më të rëndësishme është digjitalizimi i hartave kadastrale, që po realizohet në bashkëpunim me UNOPS. Aktualisht po punohet për digjitalizimin e rreth 33 mijë planshetave, një proces kompleks që kërkon kohë, por që do të përfundojë brenda vitit të ardhshëm.

 

“Fundi i vitit 2026 do të na gjejë me një Kadastër tërësisht digjitale, ku hartat dhe të dhënat do të jenë të aksesueshme dhe të sigurta”, u shpreh ajo.

 

Shërbime automatike dhe pagesa online

Kadastra ka zgjeruar ndjeshëm përdorimin e teknologjisë blockchain, duke çuar në 10 numrin e shërbimeve të automatizuara. Në fillim të vitit 2025 ishin vetëm 5 shërbime të tilla, ndërsa aktualisht 10 deri në 15% e shërbimeve ditore gjenerohen automatikisht nga sistemi.

 

Një risi e rëndësishme është edhe finalizimi i pagesave direkte përmes portalit e-Albania me kartë bankare. Kjo u mundëson qytetarëve të kryejnë pagesën në momentin e aplikimit, pa qenë nevoja të paraqiten në sportelet e bankave apo të postës.

 

Hap drejt Inteligjencës Artificiale

Sipas drejtueses së ASHK-së, digjitalizimi nuk synon distancim nga qytetarët, por thjeshtim të procedurave, akses më të lehtë dhe kohë më të shpejtë trajtimi të aplikimeve. Me përfundimin e digjitalizimit të të dhënave, krijohen edhe parakushtet për përdorimin e Inteligjencës Artificiale në shërbimet kadastrale.

 

Aktualisht, rreth 79% e aplikimeve në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës trajtohen brenda afateve ligjore, tregues që sipas institucionit pritet të përmirësohet më tej me avancimin e transformimit digjital.

 

Burimi:Scantv


Më të lexuarat